8 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Një “fantazmë“ hollandeze përlan monopolin e karburantit në Rinas

Një guackë hollandeze e quajtur United World Technologies B.V është bërë pronarja gjysmës së aksioneve të kompanisë Air BP Albania, që ka monopolin e furnizimit të avionëve me karburant në Rinas. Gjysma tjetër e aksioneve është mbajtur nga British Petroleum.

Transaksioni për shitjen e aksioneve të Air BP Albania ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar. Pronarët e kompanisë blerëse janë sekretë dhe përfaqësohen nga dy konsulent taksash në Holandë, Zoya Gyurova dhe Nikita Vinogradov.

Gyurova dhe Vinogradov janë dy punonjës të një kompanie të quajtur Strike Tax Legal në Hollandë, e cila këshillon të pasurit si të investojnë dhe ruajnë pasurinë e tyre. Por le të kthehemi tek shitja e Air BP.  

Sipas kontratës të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, shitja e gjysmës së aksioneve të Air BP Albania është bërë për 30 milionë lekë ose rreth 282 mijë euro. Ky është një transaksion që ngre dyshimë të forta për disa arsye. Së pari në fund të vitit 2021, Air BP Albania kishte një kapital prej 12.2 milionë euro, ndërkohë që detyrimet totale të kompanisë ishin vetëm 15 mijë euro.

Sipas raportit të auditimit për vitin fiskal 2021, vetëm në bankë kompania kishte 906 milionë lekë ose 8.5 milionë euro. Ndërkohë që në vitet e fundit fitimi neto, pas taksave i Air BP Albania është luhatur nga 1 milionë euro deri në 1.4 milionë euro në vit.  Shitja e një kompanie me këta tregues financiarë për 282 mijë euro duket financiarisht një habi.

Guackë hollandeze me rrënjë shqiptare?

Por çfarë fijesh ka pas kompanisë që është bërë pronare e re e gjysmës së monopolit të furnizimit të avionëve me karburant në Rinas?

Në Mars të këtij viti, menjëherë pas mbërritjes së pronarëve të rinj statuti dhe organet drejtuese të Air BP Albania u ndryshuan. Sipas dokumentacionit të siguruar nga Oligarkia.al, tashmë kompania do të drejtohet nga një Këshill Administrativ prej 6 vetësh, nga të cilët 3 përfaqësojnë British Petroleum, ndërsa 3 të tjerë pronari e ri United World Technologies B.V. Madje kjo e fundit ka dhe kryetarin e Këshillit të Administrimit. Por cilët janë drejtuesit e rinj të kompanisë?

Kryetare e Këshillit të Administrimit është emëruar Elena Pici. Ajo është emëruar në Këshillin e Administrimit nga pronari i ri United World Technologies. Më parë zonja Pici ka qenë pjesë e qeverisë duke mbajtur postin e sekretares së përgjithshme në Ministrinë e Brendshme.

Dy anëtarët e tjerë të emëruar nga pronari i ri janë dy ekspertë auditimi shqiptarë, njëri prej të cilëve partner menaxhues i kompanisë Mazars, ndërsa tjetra nga  PricewaterhouseCoopers. Tre anëtarët e tjerë të Këshillit, ata që janë emëruar nga British Petroleum, kanë qenë prej vitesh pjesë e Air BP Albania.

Pronari i ri i Air BP Albania me letra figuron i regjistruar në Hollandë. Por me shumë gjasa fizikisht ai ndodhet në Shqipëri dhe madje pranë qeverisë. Emërimet e reja në Këshillin e Administrimit janë prova e fortë.   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *