8 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Projektvendimi/ Koncesioni i markimit zgjatet me një vit fillimisht

Qeveria do të miratojë në mbledhjen e radhës një vendim, i cili zgjat me një vit tjetër koncesionin e markimit të karburanteve. Oligarkia.al ka mësuar se projektvendimi për zgjatjen e koncesionin është hedhur ndërkohë tek e-aktet, platforma e brendshme e akteve nënligjore të qeverisë.

Burime konfidenciale nga qeveria thanë se koncesioni do të zgjatet fillimisht me një vit. Më pas qeveria do të ngrejë një grup të ri pune, për të vendosur se çfarë do të bëhet me kontratën koncesionare kur të mbarojë edhe afati i ri i zgjatur, do ta rikthejë shërbimin në shtet apo do ta zgjasë sërish.

Afera që u bë biznes

Koncesioni i markimit u dha në vitin 2013 nga qeveria në ikje e Sali Berishës. Në atë kohë ai ka qenë një nga koncesionet më të kundërshtuara nga socialistët, që në atë kohë ishin ende në opozitë. Vetë Edi Rama e ka cilësuar atë si një nga aferat më të mëdha korruptive të Sali Berishës, duke u zotuar madje se do ta anulonte mënjeherë sapo të merrte pushtetin.

Rrotacioni i pushtetit ndodhi, por markimi mbeti aty. Qeveria jo vetëm që nuk e anuloi koncesionin, por tani ka filluar ta zgjasë atë përtej afateve të kontratës. Afera u bë biznes, ndërsa korrupsioni u harrua.

Koncesioni është i keq, kur nuk e kam unë

Sinjalet e para se koncesioni i markimit mund të zgjatej u dhanë vitin e kaluar. Në shkurt 2022, kompania që ka koncesionin e markimit ndryshoi pronarin përfitues. E zotëruar për vitet me radhë nga Ismail Mulleti, kompania u shit tek një grup turk.

Në ekstraktin e saj tashmë figuron si pronarë fundor një shtetase turke e quajtur Nerve Korkmaz. Zonja Korkmaz ka qenë bashkëpuntore e ngushtë e biznesmenit Sinan Idrizit, ortakut të qeverisë tek kompania Air Albania. Ndryshimi i pronarëve të koncesionit, kur kishte mbetet vetëm dhe një vit nga afati i përfundimit të kontratës tregon se vendimi për zgjatjen e markimit është marrë kohë më parë.

Madje synimet e këtij grupi për të shtënë në dorë markimin u zbuluan që në maj të vitit 2020, kur një biznesmen turk akuzoi Sinan Idrizin për mashtrim duke i marrë 3.5 milionë dollarë për të blerë koncesionin e markimit. Për këtë çështje pati dhe një hetim penal në Turqi, por gjykata turke e nxorri të pafajshëm zotin Idrizi.

Vitin e kaluar, koncesioni i markimit regjistroi një fitm neto, pas taksave, prej 142.6 milionë lekësh ose rreth 1.37 milionë euro. Sipas marrëveshjes koncesionare, kompania që ka koncesionin e markimit arkëton 1 lekë për çdo litër naftë që shitet në treg për shërbimin e markimit. Qytetarët e paguajnë këtë kosto në çmimin fundor të naftës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *